Çmimi I Ferrit

Text
0
Kritiken
Leseprobe
Als gelesen kennzeichnen
Wie Sie das Buch nach dem Kauf lesen
Schriftart:Kleiner AaGrößer Aa

V

Stefano Xamanji nuk banonte në Bolonja; aty kishte vetëm një apartament garsonier që e përdorte sa herë që i duhej të rrinte në qytet për arsye pune.

Vendbanimi i tij ishte San Laxaro e Savenës, një qytezë sa dilje në periferi.

San Laxaro ishte shumë e qetë, të paktën kështu i dukej Stefanos.

Shtrihej pothuaj tre kilometra përgjatë rrugës Emilia dhe kishte një popullsi rreth tridhjetë mijë banorë duke përfshirë edhe fshatrat rreth e përqark.

Stefano banonte në bulevardin Republika.

San Laxaro e Savenës ishte vendi klasik ku dihej gjithҫka për gjithsecilin (ose thuajse gjithҫka), sidomos për të porsaardhurin e fundit, që në këtë rast ishte ai vetë.

Të gjithë bashkëqytetarët e tij ishin shumë të lumtur që e njihnin, duke ditur që ai ishte një polic i zoti, me aq sa tregohej për të rreth e rrotull. Në veҫanti zonjusha Ema Simoni, komshia që kishte te shtëpia (dhe mu ngjitur te dera).

Kur e takonin në rrugë, të gjithë e falenderonin për ato ҫfarë po bënte për qytetin. Nganjëherë, nëse mungonte për njëfarë kohe si rrjedhojë e ҫështjeve të punës, me t’u rikthyer të gjithë njerëzit bëheshin kureshtarë se përse kishte munguar.

Dhe ai u përgjigjej me aq sa mundte dhe me aq sa i lejohej.

Kur e dinte se Stefano gjendej në shtëpi, Ema e ftonte menjëherë për të pirë një gotë ҫaj, apo edhe për të ngrënë drekë.

Specialitetet e saj të gatimit ishin picat me bazë panҫete dhe domate të freskëta. Natyrisht që atij i pëlqenin shumë.

Qëkur Stefano i kishte thënë ҫfarë pëlqente, ajo gjithmonë i jepte nja dhjetë copa picash me një enë të vogël plastike ngjyrë blu.

Herë pas here, Stefano merrte edhe pak me vete kur shkonte në Departamentin e policisë së Bolonjës.

Edhe Elis, sapo i provoi, u dashurua menjëherë me ato specialitete të veҫanta.

Sa herë që kishte ndonjë problem me pistoletën e tij kalibër 38, Stefano kalonte njëherë nga dyqani i armëndreqësit Antonio Polini në rrugën Mezzini, që ndodhej nga ana tjetër e Bulevardit Republika.

Zoti Polini ishte një burrë jo shumë i gjatë me flokë të shkurtra dhe mjekër me majucë.

Pas njëfarë kohe të qëndrimit të tij në San Laxaro, Stefano Xamanji ishte bërë mik edhe me Luixhi Maxetin, pronari i dyqanit modest të pjesëve metalike mu para shtëpisë së tij.

Madje e kishte kuptuar se banonte në një vend shumë të bukur larg kaosit, thoshte vetë ai, dhe për këtë gjë ishte mëse i kënaqur.

Nuk mund të jetonte më në një qytet të mbipopulluar siҫ ishte Bolonja, kështu që ishte vënë në kërkim të diҫkaje më të qetë dhe më në fund e kishte gjetur.

Stefano dhe Elis arritën te shtëpia e saj.

«Futemi menjëherë në kuzhinë» ia bëri Elis.

U drejtuan të dy tek vendi ku gjendeshin ato fjalët e shkruara që Elis ia kishte treguar Stefanos në Departamentin e policisë.

Si për ҫudi, nuk ishin më... aty.

Nuk kishte asgjë. Sikur kishte avulluar gjithҫka.

Elis nuk dinte si ta shpjegonte.

Ishte mosbesuese dhe nuk do ta kishte besuar nëse nuk do e shikonte vetë me sytë e saj.

«Të betohem se këtu ishin» ia bëri Elis.

«Je e sigurt se nuk po gabon? Ndoshta ke fjetur pak sonte natën dhe je e lodhur».

«Jam dyqind për qind e sigurt» ia ktheu Elli.

«Për mendimin tim do bëje mirë sikur të merrje ca kohë pushim» i tha Stefano.

«Të thashë që jam e sigurt, madje shumë e sigurt. Të betohem se në mëngjes këtu gjendeshin. Pikërisht te vendi këtu ku gjendemi ne tani të dy» përsëriti me bindje vajza.

«Dakort, ta zëmë se ke të drejtë. Po si e shpjegon ti faktin se tani nuk gjenden më këtu?» e pyeti Stefano, tërë kureshtje.

«Nuk e di se ҫ’përgjigje të të jap. Zhdukja e fjalëve të shkruara më ҫudit edhe mua shumë, kështu që nuk di ҫ’të të them» ia ktheu Elis.

«Tani unë po iki, ndërsa ti ҫlodhu pakëz».

Elis tundi kokën.

Stefano doli dhe ajo vajti të shtrihej mbi divanin e vogël në sallon.

Pas gati njëzet minutash që kishte mbetur vetëm... ra zilja e telefonit.

«Aa...» Elis nuk e mbaroi dot fjalën dhe mbylli telefonin.

Kishte frikë se mos ishte prapë ai zëri. Se mos ishte prapë Zëri.

Po në qoftë se nuk ishte Zëri, por ndokush që kishte nevojë për të komunikuar me të?

Nuk dinte ҫ’përgjigje të jepte.

U shtri përsëri mbi divan dhe pas pak ra përsëri zilja e telefonit.

Ҫfarë i duhej të bënte? Të përgjigjej? Të priste derisa të pushonte zilja? Ishte vërtet enigmë.

Pas ca momentesh ngurrimi, vendosi të përgjigjej.

«Alo?» ia bëri.

«Hajt takohemi... kurajo. Mos ki frikë. Nuk duhet të kesh frikë».

«Kush je?» pyeti ajo.

«Njihemi mirë, madje... shumë mirë...».

«Kush je? Si e ke emrin?».

«Nuk ka rëndësi kjo».

Elli e mbylli telefonin prapë.

Njihemi shumë mirë. Të takohemi. Ik pirdhu. Kushdo qoftë, është një shkërdhat që të ҫan trapin. Po kush është? Dhe ҫa mutin do prej meje? Ik o pirdhu. Nuk mund të më ҫajë trapin kështu. Nëse arrij të mësoj se kush është, do t’ia ҫaj bythën në katërsh. Ik pirdhu trap. Vafsh në të s’ëmës tani këtë moment, hajvan. Nëse nuk më lë të fle sonte mbrëma, betohem se do ta kërkoj derisa ta kem mu para syve dhe pastaj do t’ia zbraz gjithë karikatorin mu në mes të koqeve, dhe nëse nuk mjafton, do t’i zbraz edhe një karikator tjetër. Ik pirdhu.

Gati kishte ardhur mbrëmja. Mendoi të hante ndonjë kafshatë, kështu që vajti në kuzhinë.

Hapi frigoriferin dhe nxori prej andej ca nga ato picat e shijshme të Ema Simonit, që Stefano kishte marrë me vete atë mëngjes nga San Laxaro. Ndoshta ato do t’ia ngrinin pak humorin për ndonjë moment, nësë nuk do shihte... ato fjalë të shkruara. Ato fjalë të shkruara, ia dhjefsha racën.

Ishin fiks si ato që qenë shkruar një ditë më parë.

Hajt takohemi njëherë!

Do jemi të lumtur bashkë!

Ishte gjithҫka në të njëjtën radhë si një ditë përpara, fjalët e shkruara fije e për pe, pa ndryshimin më të vogël.

«Stefano!!!» bërtiti Elis gati sikur nuk po gjente më zë në grykë për një javë të tërë.

Kapi telefonin dhe mori Departamentin e policisë me shpresë se do ta gjente kolegun e saj aty.

Por për fatin e saj të keq, centralistja e seksionit të Vrasjeve e njoftoi se ai ishte larguar për në shtëpi dhe se do kthehej vetëm të nesërmen.

Elis mallkoi fatin e keq dhe mendoi se mos ndoshta do ta gjente në apartamentin e tij në Bolonjë. Mori në telefon atë numër, por ai nuk gjendej aty; atëherë duhej të ishte në San Laxaro. Duhet ta gjente me ҫdo kusht. Kishte patjetër nevojë që t’i tregonte ato ҫa i kishin ndodhur. Por si ta gjente?

Dinte vetëm se banonte në San Laxaro të Savenës, por nuk e dinte as adresën, as numrin e telefonit, as edhe ndonjë gjë tjetër që mund ta ndihmonte në gjetjen e tij.

Sidoqoftë duhej të gjente një mënyrë. Ҫfarëdo lloj mënyre, ia dhjefsha racën, vetëm që ta gjente.

Patjetër që nuk do arrinte dot të flinte, por prapëseprapë e provoi njëherë.

Kishte kaluar gjysëm ore, dhe atë ende nuk e kishte zënë gjumi, kështu që vendosi të ҫohej.

I duhej të gjente Stefano Xamanjin, dhe me kohën, të dy bashkë do u duhej të gjenin Santopietron.

Ashtu e pagjumë, hipi në makinë dhe u nis për në San Laxaro të Savenës.

Rruga ishte shumë errësirë dhe po aq e populluar me njerëz, kushedi pse. Ndoshta kishte ndonjë festë aty në Bolonjë. Ku i dihej. Por...

Nuk e shtrydhi më trurin dhe mendoi t’i jepte makinës, duke shmangur njerëzit e shkujdesur që ecnin nëpër rrugë në atë orë të vonë.

«Gomar, shiko ku ecën!» bërtiti me të madhe.

Dhe përsëri vazhdoi me fjalë të tilla si: mos më hajde para, hajvane, mbaj anën ku ecën, apo gomar boll i dhe makinës dhe kthehu në shtëpi! Ja kështu ndodhin edhe aksidentet.

Ishte e xhindosur me të gjithë, gjithmonë për shkak të atij tipit që i telefononte në mbrëmje vonë, dhe kurrë gjatë ditës.

«E marrtë dreqi, mbaj anën tënde!» vazhdonte të bërtiste.

Pothuajse kishte mbërritur në San Laxaro. Për fat, i mbeteshin të bënte edhe dy milje.

Në orën njëmbëdhjetë të mbrëmjes kaloi tabelën ku shkruhej SAN LAXARO E SAVENËS.

Ishte e rraskapitur nga rruga, edhe pse shumë e shkurtër.

Nuk e dinte me saktësi në cilën rrugë banonte Stefano Xamanji, kështu që mendoi të pyeste ndokënd se mos e njihte. Vajti tek bari në Rrugën Karlo Jussi aty ku kryqëzohej me Rrugën Rexho Emilia, që ishte i vetmi i hapur në atë orë.

Tek muri mbrapa banakut ishin shkruar disa fjalë si p.sh.: “Tek ne, do gjeni aperitivin më të mirë që ekziston”, “Pi tek ne, ha ku të duash”, dhe akoma të tjera si “Një pije që të liron nga të gjitha hallet si kurrë ndonjëherë”.

Elis u mundua të gjente pronarin për të marrë vesh se mos e njihte personin që ajo po kërkonte.

Pa nga e majta një burrë me mjekër dhe iu ngulit në kokë se ndoshta ai ishte personi që do ta ndihmonte për të gjetur Stefano Xamanjin.

«Mos e dini edhe se ku banon?» ia bëri ajo.

«Po për ҫfarë arsye doni ta dini?».

«Sepse kam një nevojë të ngutshme për t’u takuar».

Burri heshti.

«Atëherë e dini se ku mund ta gjej, të lutem?».

«Në San Laxaro... natyrisht».

«Në ҫfarë rruge, e kisha fjalën».

«Ah...» ngurroi për pak burri «Në Bulevardin Republika» ia bëri në fund.

«Faleminderit për informacionin» i tha.

Dhe shtoi duke folur me vete: Faleminderit, shakaxhiu i leshit.

“Në San Laxaro... natyrisht... Ik o pirdhu”.

Elis doli jashtë.

 

U vu në kërkim të rrugës që i kishte treguar ai burri.

Pas pesë minutave, pa nga e majta një tabelë: Rruga Karlo Jussi. Pikërisht ajo që po kërkonte.

Në banesën e parë pa mbiemrin e Stefanos mbi një tabelë të vockël afër një tufe zilesh njëra pas tjetrës.

Mendoi t’i binte ziles edhe pse ishte e vetëdijshme për orën e vonë.

Iu përgjigj një zë i ngjirur dhe i përgjumët.

«Stefano, jam Elis».

Në atë moment Stefano u hutua, por pastaj i ra në të.

«Ҫfarë ka?» ia bëri ai.

«Kam nevojë të ngutshme për të folur me ty».

«Pikërisht tani. Po është vonë. Është... mesi i natës. Ҫfarë bën në këtë orë në San Laxaro?».

«Duhet të flas me ty. Më lër të ngjitem, të lutem» ngulmoi ajo prapë.

Stefano i tha të futej brenda.

VI

Korridori ishte më se i bollshëm, me mure të sapolyera në bojë të bardhë dhe me një llambë me dritë halogjene në tavan. Shkallët ishin në mermer ngjyrë gri me parmakë druri në ngjyrë të ҫelët, ndoshta edhe shumë i kushtueshëm për t’u përdorur në një pallat.

Elis nxori si konkluzion se Stefano banonte në luks.

U ngjit në katin e dytë dhe pa në të djathtë një derë të hapur dhe një burrë te pragu i derës. E kuptoi se duhej të ishte kolegu i saj i punës dhe eci drejt tij.

Stefano i priu deri në sallon dhe e ftoi të ulej mbi një kolltuk të zbukuruar me krahë.

Elis vështroi me kujdes nëpër të gjithë apartamentin.

«Sa të kanë kushtuar të gjitha këto për atë Zot?» e pyeti.

«Oh... jo aq shumë. E kam me qira për njëqind euro në muaj» ia ktheu ai.

«Njëqind ҫfarë?» tha Elis.

«Euro në muaj. Di që është një shifër tepër e ulët, ngela dhe unë pa fjalë kur ma tha pronari. Por më thuaj më mirë arsyen se pse je zgjuar nga gjumi në këtë orë të natës».

«Epo... më telefonoi prapë ai personi, apo më saktë... ai Zëri. Por nuk është vetëm kjo. U rishfaqën prapë ato fjalë të shkruara mbi dyshemenë e kuzhinës» i tha ajo.

«Prapë? Pra nuk paskëshe qenë e dalë mendsh kur unë erdha dhe biseduam te shtëpia jote!».

«Por ti nuk më besove».

«Epo duhet të të besoj. A dëshiron një kafe?».

«Jo, faleminderit. Nuk do doja të acarohesha më shumë nga ҫ’jam tani».

«Si të duash» i tha ai.

«Do doja të kërkoja diҫka, nëse nuk bezdisesh dhe aq».

«Hidhe pra fishekun».

«A mund të më mbash këtu për ca kohë të paktën derisa ta gjejmë atë tipin? Kam frikë! Po vdes nga frika! Sidoqoftë të betohem se nëse e gjej, do t’ia heq dëshirën që ka për t’ua këputur topet njerëzve. Ai biri i kurvës!».

«Dakort, por tani qetësohu dhe do e shohësh se do ta gjejmë» i tha, duke e shoqëruar për te dhoma e gjumit.

«Mund të flesh këtu» i tha.

Ajo mbështeti kokën në jastëk dhe fjeti menjëherë duke bërë një gjumë ripërtëritës që zgjati pa ndërprerje deri në tetë të mëngjesit të nesërm.

Deri në tetë nuk e dëgjoi më Zërin dhe për këtë qe tepër e lumtur.

Elis u ngrit duke pyetur sesi po ecnin hetimet në Bolonja. Do kishte dëshirë të merrte lajme të reja... dhe të mira, të paktën një herë të vetme.

Pasi u zgjua edhe Stefano, hëngrën mëngjes të dy bashkë.

Elis kishte përgatitur kafe dhe ca biskota integrale që dolën të mrekullueshme pasi i provoi. Tryeza ishte gati tashmë.

«Të mira, këto biskota», tha Elis, «Ku i ke blerë?»

«Oh... te supermarketi në fund të rrugës. Pronarin e njoha pikërisht javën e shkuar. Emrin e ka Luҫio... ah, Tabelini. Ishte vetë ai që më rekomandoi këto biskota. Tha se s’ka pak që i kanë hedhur në treg dhe tashmë janë fshirë nga raftet. I është dashur të kërkojë menjëherë një sasi tjetër sepse iu mbaruan shumë shpejt» i shpjegoi Stefano.

«Si quhen? Mini-kekë Xhaxha Fred... kushedi mbase gjenden edhe në Bolonja?» i tha Elis.

Hëngri nja dhjetë prej tyre, aq të mira ishin.

Me të mbaruar mëngjesin, menduan për ato ҫka duhet të bënin.

Stefano Xamanji i tha Elisit se ajo ishte akoma ca e tronditur nga ato të mallkuara telefonata që i bëheshin natën dhe do kishte qenë shumë më mirë sikur të rrinin të dy në San Laxaro të Savenës, ajo për të qenë sa më larg kërcënimeve të atij Zërit, dhe ai për ta mbrojtur atë. I telefonuan edhe Departamentit për t’u thënë që do mungonin disa ditë dhe gjithsesi do vazhdonin me hetimet aty ku kishin ngecur dhe do të kalonin nga Bolonja vetëm në rast nevoje.

Kapiteni ra dakort.

Në atë moment, Stefano Xamanji donte që t’i tregonte Elisit lagjen ku banonte në mënyrë që ajo ta njihte më mirë atë vetë dhe banorët e tij.

Filloi nga Ema Simoni, komshia që kishte afër shtëpisë.

Sapo i ranë ziles, ajo erdhi ta hapte menjëherë.

Mbante veshur një palë xhinse dhe një bluzë me shumë ngjyra. Thoshte që ndihej e re pavarësisht moshës.

Mendoi t’u ofronte ndonjë nga ato picat që dinte të bënte vetëm ajo. Elis e dinte tashmë, pasi ca nga ato picat i kishte sjellë Stefano në Departamentin e policisë, dhe ajo i kishte shijuar me shumë kënaqësi.

Ema u lumturua që kishte gjetur mysafire të papritur, pasi po vdiste nga mërzia.

Stefano e prezantoi me Elisin dhe i sqaroi se përse ajo gjendej aty bashkë me të, duke marrë parasysh faktin se agjentja e Skotlënd Jard banonte në një apartament në Bolonja.

«E kuptoj» foli gruaja, duke iu drejtuar Elisit.

«Është një moment shumë i pakëndshëm për mua» i tha kolegia e Stefano Xamanjit «Shpresoj që të kalojë shpejt».

Polici vendosi të ndahej me Emën për të vazhduar shëtitjen eksploruese në San Laxaro të Savenës bashkë me Elisin, që ndërkohë po fillonte të ambientohej.

Stefano Xamanji e shoqëroi Elis Dejnin te zoti Maxeti, pronari i dyqanit të pjesëve metalike në anën tjetër të rrugës.

Porta e hyrjes ishte me xhama të nxirë nga tymi në një kornizë druri të stilit antik që në mënyrë të veҫantë i tërhoqi vëmendjen Elisit.

Kur të dy u futën brenda, pronari po merrej me sistemimin e një objekti të vockël në formë të zgjatuar.

«Përshëndetje Luixhi», e përshëndeti Stefano Xamanji, «Si po ia kaloni?».

«Mirë, faleminderit. Nuk ka dhe shumë klientelë në këtë orë, por gjithsesi jam mësuar prej kohësh», ia ktheu burri. «Oh... po kush është kjo vajzë e bukur që të rri mbrapa, Stefano?» vazhdoi ai në pritje të një përgjigjeje.

«Oh, tamam. Luixhi, të prezantoj me Elis. Është një kolegia ime e re që ka ardhur këtu në San Laxaro të Savenës» i tha Stefano duke vënë re një buzëqeshje në gojën e Maxetit.

«Gëzohem shumë që ju njoh» i tha Elis.

«Kënaqësia është e gjitha e imja» ia ktheu Luixhi ndërkohë që po mbaronte me sistemimin e atij objekti të pazakontë që mbante ende nëpër duar.

Duke qenë se u bë shumë vonë, qëndruan edhe pak fare në dyqan, pastaj dolën dhe vajtën në drejtim të supermarketit, ku bënë vetëm një ndalesë të shkurtër për të përshëndetur pronarin Luҫio Tabelini dhe arkëtaren Xhesika Mareski. Para se të dilnin, Elis i bëri një kompliment pronarit për zgjedhjen e përkryer që kishte bërë me ato biskotat që kishte ngrënë atë mëngjes në shtëpinë e kolegut të saj.

Tabelini e falenderoi nga zemra dhe e garantoi se porositë me atë produkt do vazhdonin gjatë gjithë kohës.

Ndërsa po drejtoheshin për nga rruga San Laxaro, Stefano u kthye nga Elis.

«Tani do të të njoh me kryetarin e bashkisë së San Laxaros. Quhet Xhovani Buleri».

Rruga Emilia Levante mund të ishte quajtur rruga më e rëndësishme e San Laxaros dhe prej këtej dukej Ndërtesa e Bashkisë.

Ndërtesa ku ndodhej Bashkia, kishte tre kate me vetrata të mëdha dritaresh dhe këto të fundit ishin mbrojtur me ca grila në nuancë gri që e bënin bashkinë të dukej si të qe burg, nëse nuk do kishte dritare të mëdhaja në vend të atyre dritareve të vogla klasike dhjetë apo maksimumi pesëmbëdhjetë centimetra anash që kanë burgjet Shtetërorë.

Elis dhe Stefano hynë brenda në ndërtesë dhe asaj i ranë menjëherë në sy parmakët prej druri të dekoruar. U ngjitën nëpër shkallë dhe mbërritën në katin e parë, pikërisht në mes të murit nga e majta.

Aty paraqitej një skemë e ҫdo zyre që gjendej brenda ndërtesës.

Në qendër të panelit ishte shkruar me gërma të mëdhaja “ZYRAT” dhe fill pas saj, “KATI I PARË”, “INT. 1 ZYRA E GJENDJES CIVILE”, “INT. 2 ZYRA E OBJEKTEVE TË HUMBURA”, “KATI I DYTË”, “INT. 3 ZYRA E PASTRIMIT TË RRUGËVE”, “KATI I TRETË”, “INT. 4 KRYETARI I BASHKISË DHE SEKRETARIA”, “INT. 5 ZYRA E SINJALISTIKËS RRUGORE”.

Të dy policët hipën në katin e tretë dhe, sapo mbërritën aty, panë derën në të majtë ku qe shkruar “KRYETARI I BASHKISË” dhe trokitën.

Derën e hapi një vajzë me këmishë në ngjyrë të kuqe dhe kopsa të arta dhe me një palë pantallona bezhë.

«Mirëdita. Ҫfarë dëshironi?».

«Do donim të takoheshim me kryetarin».

«Keni lënë takim?»

«Jo», iu përgjigj Xamanji, «por kemi këtë»

«Urdhëroni brenda», iu tha sekretarja, pasi pa distinktivin e policisë, «Po e njoftoj menjëherë».

Të dy u ulën mbi kolltukun me lëkurë të butë në pritje të mbërritjes së kryetarit të bashkisë.

Pas pak ҫastesh para tyre u shfaq një burrë në të pesëdhjetat.

«Donit të takoheshit me mua?» pyeti burri.

«Po. Jemi...».

«Oh, patjetër që po!» e ndërpreu Buleri.

«Në rregull atëherë, do doja t’ju njihja me miken time Elis Dejn».

«Patjetër! Futuni brenda».

Zyra e kryetarit ishte më se e madhe, me piktura të varura në të gjitha muret që i jepnin ambientit përreth një hije elegance.

Buleri iu ofroi një pakëtë cigare.

«Janë të kushtueshme. Vijnë nga Havana».

Stefano Xamanji pranoi, edhe pse nuk kishte pirë kurrë më parë duhan, Elis e falenderoi dhe kërkoi ndjesë për refuzimin duke thënë se nuk e duronte dot tymin e duhanit. Në të vërtetë e urrente.

Kur Stefano mbaroi së shijuari cigaren e mirë kubane, pa e ndezur fare, të dy u përshëndetën me Qytetarin e Parë dhe dolën nga zyra dhe ndërtesa e bashkisë.

Kishte ardhur mbrëmja ndërkohë. Kishin kaluar një ditë të tërë nëpër rrugë dhe në shumë vende rreth e përqark San Laxaros së Savenës.

VII

Elis Dejn dhe Stefano Xamanji hynë brenda apartamentit në San Laxaro të Savenës dhe menduan të merrnin Departamentin e Policisë së Bolonjës për të marrë vesh nëse ishin zbuluar informacione të tjera me interes për ta, që ndoshta do shërbenin për ta kapur njëherë e mirë atë person me atë emër të famshëm Daniele Santopietro. Kushedi...

«Nuk kemi pasur më lajme lidhur me rastin, më vjen keq» u përgjigj centralistja e turnit.

Xamanji e falenderoi me një fije mërzie dhe keqardhjeje që i dukej që në grykë.

Pasi e lidhi prapë aparatin e telefonit me karikuesin, polici priti derisa kolegia doli nga banja që të bënte edhe ai një dush të shpejtë dhe ҫlodhës.

Pas dushit u ndje shumë më mirë.

Hëngrën diҫka të shpejtë që kishin përgatitur dhe të dy bashkë menduan sesi mund të gjenin të dyshuarin e tyre, por nuk e dinin tamam nga t’ia fillonin. Nëse vërtet ishte ashtu siҫ u kishte komunikuar centralistja, që nuk kishin ardhur më lajme të tjera, ndoshta ishte e vërtetë edhe që Santopietro nuk gjendej më në apartamentin e stërmadh në rrugën Saffi që Elis Dejn kishte inspektuar disa ditë më parë. Po ku kishte përfunduar atëherë? Nuk dinin si t’i përgjigjeshin kësaj pyetjeje. Mendja e të dyve ishte në terr të plotë në lidhje me këtë ҫështje dhe për momentin nuk kishin as idenë më të vogël sesi mund të dilnin nga ky terr.

E ku mund ta gjenin përgjigjen? Një prej shumë përgjigjeve? Por... Ҫa fundi kishte patur Daniele Santopietro? Ndoshta e kishte vrarë dikush për motive personale në shenjë hakmarrjeje për ndonjë gjë që ai i kishte bërë ndonjë të afërmi të vet? Po i kujt ishte ai zë (Zëri) që ҫdo natë pasi Elis i kishte bërë një vizitë Santopietros së dashur (të vdekur?) për atë grabitje të kryer së fundmi, e bezdiste më të njëjtat fjalë aspak simpatike (“Njihemi bashkë”)?

Kush e di përgjigjen bën një hap përpara, mendoi me mendjen e vet Stefano.

Koka i ziente tym nga brenda dhe po ashtu edhe koleges së tij.

Në fund Elis dhe Stefano vendosën t’i jepnin fund muhabetit të asaj dite dhe të shkonin të flinin, me shpresën se do ia dilnin mbanë.

Ndërkohë në Bolonja vazhdonin hetimet mbi ҫështjen në fjalë.

Në terr, por vazhdonin ama.

Kapiteni i seksionit të vrasjeve Xhorxho Luci e kishte ngarkuar agjentin Finoki të shkonte në rrugën Saffi për të mësuar nëse ndokush e kishte parë Santopietron të largohej, ndoshta edhe në nxitim e sipër.

 

Marko, ky ishte emri i tij i pagëzimit, doli nga Departamenti i policisë, hipi në makinën e shërbimit dhe në ҫast lëvizi marshin në drejtim të rrugës Saffi.

Makina i kishte dritat blu të ndezura dhe sirena ishte e fikur.

Ishte misioni i parë i Marko Finokit me njëfarë rëndësie; ai kishte ardhur në Bolonja që prej gati dy vitesh, por ishte bërë pjesë e Skuadrës së Policisë së atij qyteti vetëm prej gati pesë muajsh. Më përpara kishte punuar në Milano.

Ishte transferuar në Bolonja sepse Milano ishte shumë kaotike dhe e rrëmujshme për shijet e tij të buta dhe të qeta dhe kishte gjetur një apartament jo shumë larg Departamentit dhe me një kosto jo shumë të lartë: vetëm njëqind e pesëdhjetë euro në muaj.

Afër shtëpisë ishte njohur, pak kohë pasi kishte ardhur në qytet, me Elisabetta Moron, kishte rënë në dashuri me shikim të parë, dhe ajo menjëherë e kishte ndryshuar. Ajo ditë kishte qenë një nga ditët më të bukura të jetës së tij dhe menjëherë të dy kishin vendosur të fejoheshin dhe, me kalimin e kohës, lidhjen e tyre ndoshta do ta finalizonin me martesë.

Kështu që vendosën të bashkëjetonin, duke qenë se ajo ishte turiste në Bolonjë.

Ajo njoftoi të ëmën, e cila pa ngurruar aspak, dha pëlqimin e vet. Kishte vite e vite që mezi priste ditën kur Elisabeta të takohej me shpirtin e saj binjak.

Marko Finoki arriti në rrugën Saffi dhe fiku makinën dhe dritat blu.

Me revolen brenda këllëfit vazhdoi të ecte përgjatë rrugës.

Kapiten Luci i kishte dorëzuar një zarf të vogël me një foto të Daniele Santopietros brenda.

Agjenti e nxori nga zarfi plastik në ngjyrë rozë. Si procedurë që ndiqte ҫdo seksion i policisë për katalogimin e të dyshuarve, poshtë fytyrës së qelbur të Santopietros kishte një shirit të zi ku qe shkruar DEPARTAMENTI I POLICISË dhe poshtë saj një numër katalogimi: 3347820A.

Finn-i (ky ishte shkurtimi që i kishin dhënë agjentit që prej dy muajsh në ato anë) nisi t’ua tregonte fotografinë të gjithë kalimtarëve që haste në rrugë, duke u ndalur edhe nëpër dyqane, me mendimin që dikush që endej zakonisht në atë rrugë, që ndoshta mund të ishte edhe ndonjë dyqanxhi, mund të kishte më shumë probabilitet ta kishte parë të kalonte aty ose edhe mund ta kishte parë të hynte në vetë dyqanin e tij.

Të gjithë njerëzit që kishte pyetur i ishin përgjigjur duke tundur kokën, gjë që i linte të kuptonte se nuk kishin parë as edhe një fije floku të tij.

Marko Finoki po i humbte shpresat që të gjente ndonjë gjë me interes aty në atë rrugë, vetëm kur gjeti një burrë që arriti t’i tregonte diҫka.

«Mirëdita» ia nisi Marko «A mos e ke parë rastësisht këtë person gjatë këtyre ditëve?» e pyeti duke i treguar për të kushedisatën herë fotografinë e Santopietros.

«Mmm... ja të shoh pakëz... oh, po. Sigurisht, e kam parë një ditë më parë. Hipi në një makinë të ҫuditshme dhe u nis me shpejtësi të madhe nga ai pallati përgjatë rrugës » iu përgjigj burri.

Agjenti e njohu pallatin, pikërisht atë që i kishte përshkruar kapiten Luci, ishte pallati ku qe futur Elis Dejn ditën kur e pa Santopietron për herë të parë dhe të vetme në jetën e saj.

Një fije gëzimi u përvijua në fytyrën e imët të Marko Finokit: misioni i tij ia kishte arritur qëllimit dhe tani mund të kthehej krenar në Departament dhe të njoftonte kapitenin për lajmin, edhe pse nuk ishte kushedi se ҫfarë.

Hipi në makinën e shërbimit, futi marshin e parë dhe u nis.

Marko mbërriti në Departament, parkoi makinën në një nga vendet e posaҫme të parkimit që policia kishte në dispozicion, fiku motorin dhe hyri te seksioni i vrasjeve.

Sapo hapi portën kryesore, centralistja e turnit Franҫeska Baffetti e përshëndeti me një gjest të dorës së djathtë që i tërhoqi vëmendjen. Marko Finoki i ktheu përshëndetjen dhe vajti në drejtim të derës së zyrës së kapitenit.

«Përshëndetje kapiten» i tha agjenti.

«Përshëndetje Finoki» ia ktheu Xhorxho Luci, dhe më pas vazhdoi: «Nuk është tamam tema e bisedës, por gjithsesi, a ke gjetur ndonjë gjë që mund të na shërbejë për zgjidhjen e këtij dreq rasti grabitjeje?».

«Po. Një burrë e ka parë tek ecte me shpejtësi të madhe me makinë nëpër rrugë».

«Në rregull, duhet t’ia komunikojmë Seksionit të Grabitjeve».

«Tani më duhet të shkoj për patrullim» i tha agjenti, më pas përshëndeti kapitenin dhe doli për t’iu rikthyer punës.

Sie haben die kostenlose Leseprobe beendet. Möchten Sie mehr lesen?

Weitere Bücher von diesem Autor